Kuvendi zgjedhor i degës 3 të PD, Basha akuza për Amnistinë dhe propozimet për Reformën Zgjedhore
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ishte i pranishëm sot në takimin me Kuvendin Zgjedhor të degës nr.3 në Tiranë. Basha u ndal tek amnistia e miratuar në parlament duke theksuar se u miratua amnistia për njerëz të korruptuar dhe jo për protestuesit.
“Kuvendi i degës 3 mblidhet sot për të finalizuar një proces jo të lehtë , unë e di fare mirë se çfarë sfidash, çfarë problemesh jeni përballur gjatë këtyre viteve megjithatë tani që ky proces po shkon drejtë përmbylljes, mund të themi me gojën plotë se hiq pjesën negative, se nuk ka ardhur nga ne dhe as nuk e kemi gjeneruar asnjëherë, pjesa pozitive është një korpus politik dhe është formuar që nuk udhëhiqet nga interesat personale, nuk drejtohet në mënyrë okulte, por ka provuar se qëndron për vlerat më të cilat kjo parti ka lindur.
Amnistia penale e cila për tre muaj me radhë u mbajt peng duke mos ju lënë shumë prindërve të bashkohen me fëmijët e tyre sepse për 3 muaj me radhë u përpoqën të bënin pazarin që pastaj e mohuan por që sot ka dal hapur kudo.
Qëkur erdhi procesi i amnistisë ne dolëm para demokratëve dhe para qytetarëve dhe u thamë që është një proces normal duke mbajtur dy qëndrime, qëndrimi i parë nuk mund të përfitojnë njerëzit të cilët janë dënuar për korrupsion nga GjKKO-ja sepse këta njerëz kanë vjedhur nga xhepat e shqiptarëve dhe së dyti duke liruar këta që u arrestuan , u gjykuan, u dënuan si rezultat i reformës në drejtësi lëshohet një mesazh i qartë, ju i dënoni ne i lirojmë. Të përfitojnë të gjithë protestuesit e partisë demokratike të cilët janë ngritur kundër korrupsionit, të cilët kanë 3 vite e më shumë që vërtiten dyerve të gjykatave”, tha Basha.
Për sa i përket Reformes Zgjedhore kreu i PD-se, Lulzim Basha u shpreh se çdo qytetar do te përqafonte reformën e propozuar pavarësisht bindjeve politike.
“Të gjejmë një rrugë dhe te zgjojmë Shqipërinë nga ky ankth dhe ti japim drejtimin e merituar drejt përparimit, drejt mirëqenies për çdo shqiptar dhe për këtë arsye kemi propozuar Reformën Zgjedhore, me katër kolona të cilat i shërbejnë çdo shqiptari. Që po të dalim jashtë i përqafon çdo qytetar pavarësisht bindjeve politike, për listat e hapura, për votimin elektronik dhe numërimin e votave dhe për votën e diasporës. Ky është një rast tjetër ku duket qartë se kush e bën ketë betejë për shqiptarët dhe kush është kthyer në rimorkjo të urbanit të prishur të Edi Rames”, u shpreh Basha.