“La Gazzetta dell’Emilia”: Zbulohen dëshmi të epokës romake në zonën arkeologjike të Butrintit
Aktivitetet e gërmimeve të këtij viti kanë nxjerrë në dritë një strukturë ende të ruajtur mirë, duke bërë të mundur dokumentimin për herë të parë me fotografi dhe rilevime topografike të shtyllave të një ure të epokës romake që lidhte kepin mbi të cilin ngrihej qyteti antik me fushën e Vrinës.
Ekspertët zbuluan mbetje të zhytura në ujë, të një ure të lashtë romake dhe të një strukture, pjesërisht të shembur, me dysheme të zbukuruara me pllaka mozaiku, gjithashtu të epokës romake, por të përdorura për një kohë të gjatë, madje edhe në kohët e vona antike dhe mesjetare, shkruan në një artikull e përditshmja italiane “La Gazzetta dell’Emilia”.
Zona arkeologjike e Butrintit, në Shqipëri, nuk pushon së ofruari surpriza.
Në bashkëpunim me Universitetin e Bolonjës, Departamentin e Historisë, Kulturës dhe Qytetërimit, dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, sipas një marrëveshjeje me Institutin e Arkeologjisë së Tiranës dhe Parkun Kombëtar të Butrintit, gërmimi dhe hetimi nisi në 2015 dhe që atëherë janë kryer një sërë aktivitetesh për të rizbuluar dëshmitë e shumta të këtij qyteti të pasur të Epirit të lashtë.
Kryesisht, që nga viti 2019, grupi kërkimor, i drejtuar nga profesor Enrico Giorgi i Universitetit të Bolonjës dhe prof. Belisa Muka e Institutit të Arkeologjisë së Tiranës, është angazhuar në gërmimin stratigrafik të akropolit.
Gjatë aktiviteteve të ndryshme të gërmimit, dolën në dritë dëshmi të ndryshme të jetëgjatësisë së vendit, i cili u banua pothuajse pa ndërprerje nga fundi i epokës së bronzit deri në shekullin e XVIII.
Kërkimet e vitit 2021 u përqendruan në një zonë të shenjtë të rrethuar nga mure shumëkëndëshe imponuese duke dokumentuar fazën e parë të strukturimit të vendit në epokën arkaike.
Ndërsa dy aktivitetet e gërmimeve të këtij viti, në qershor dhe shtator, nxorrën në dritë dëshmi të momenteve të mëvonshme dhe po aq të rëndësishme.
“Vitin e kaluar, falë një sërë metodologjish jo invazive, kryesisht hetimeve gjeofizike duke përdorur radarin depërtues në tokë, ne evidentuam disa ‘anomali’ në nëntokë që tregonin praninë e strukturave të mundshme ende të groposura”, tha prof. Giorgi.
Gjatë aktivitetit të këtij viti, ne vendosëm të verifikojmë natyrën e njërës prej këtyre anomalive përmes gërmimeve. Me rezultate të papritura, anomalia doli të ishte muri rrethues i një ndërtese ende të ruajtur mirë në pjesën e poshtme të saj, falë shembjes së çatisë që shënoi braktisjen përfundimtare të saj”, shtoi ai.
“Pasi u hoqën materialet e shembur, dolën në dritë dyshemetë të dekoruara me pllaka mozaiku të epokës romake, së bashku me shumë materiale të tjera që datojnë në kohët e vona antike dhe mesjetare”, tha Giorgi.
Por, surprizat nuk vijnë vetëm nga nëntoka. Zbulimi nënujor në lagunën që rrethon zonën arkeologjike, I kryer në bashkëpunim me prof. Stefano Medas të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore të “Alma Mater” (Kampusi i Ravenës) dhe me kompaninë “Idra” në Venecia, bëri të mundur identifikimin e shtyllave të një ure të epokës romake.
“Ura lidhte kepin e Butrintit me fushën e Vrinës, duke lejuar edhe kalimin e ujësjellësit që furnizonte zemrën e qytetit romak”, tha Enrico Giorgi.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për kërkimet në qendrën e Epirit të lashtë, pasi për herë të parë mbetjet e zhytura të urës janë dokumentuar me fotografi dhe rilevime topografike”, theksoi ai.
Aktivitetet e këtij viti bënë të mundur edhe përfundimin e rilevimit topografik me skanim lazer të qarkut të murit të qytetit të epokës helenistike.
Ky aktivitet, funksional për verifikimin e gjendjes aktuale të konservimit të monumenteve në parkun arkeologjik, ishte pikërisht pikënisja, në vitin 2015, e projektit të bashkëpunimit më të gjerë mes Universitetit të Bolonjës dhe Institutit të Arkeologjisë së Tiranës në zonën e Butrintit. //a.i/