“La Traviata”, opera e parë që u vu në skenë 82 vite më parë në Shqipëri
Hera e parë që një opera lirike vihej në skenë në Shqipëri, ishte 82 vjet më parë dhe bëhet fjalë për operën e Xhuzepe Verdit, “La Traviata”.
Në korrik të vitit 1942, trupa Carro di Tespi Lirico mbërriti në Tiranë dhe dha disa shfaqje, mes tyre operan “La Traviata”, një fotografi të së cilës e sjell Arkivi i Shtetit.
Skena u vendos në krye të Viale del Impero, atje ku sot gjendet Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në lartësinë e sheshit “Nënë Tereza”.
Duket qartë ndërtesa që sot i përket Rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, e cila ende ishte në ndërtim e sipër. Në këtë fotografi bën përshtypje edhe peizazhi i atëhershëm i Tiranës: fotografia mbizotërohet nga mali i Dajtit, kurse djathtas-lart, në thellësi, shquhet mauzoleumi i Nënës Mbretëreshë, ndërtuar nga Mbreti Zog I. Fotografia është pjesë e Fototekës së Arkivit Qendror Shtetëror.
Më 1929 qeveria fashiste e Romës krijoi katër trupa teatrale shëtitëse që morën emërtimin “Carri di Tespi” (“Qerret e Tespit”). Një prej këtyre për operan dhe këngën lirike, e emërtuar “Carro di Tespi Lirico” dhe tre për pjesët teatrale. Synimi i këtyre trupave ishte që të përçonte teatrin dhe operan lirike deri tek fashat më të izoluara të shoqërisë.