Lajçak flet pas takimit me Albin Kurtin: Ka pak progres në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur pas takimit me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi duke theksuar se ka pasur pak progres në procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Megjithatë, Lajçak është shprehur se gjatë vizitës në Beograd dhe Prishtinë ka pasur diskutime të gjata, e të cilat i ka quajtur “të rëndësishme, të dobishme dhe të sinqerta”.
“Udhëtova në Beograd dhe Prishtinë që të diskutojë procesin e normalizimit, për të parë se ku jemi dhe për të biseduar sa përparim mund të arrijmë në dialog para se Evropa të futet në procesin e zgjedhjeve. Falë dialogut kemi pasur rezultate të rëndësishme.
Në fund të vitit të kaluar kemi pasur marrëveshjen për energjinë, e po ashtu edhe njohjen e targave. Por, ne kishim progres të vogël sa i përket pikëpamjes së gjerë të procesit të normalizimit të marrëdhënieve.
Kishim një marrëveshje nga shkurti e marsi i kaluar, që i bjen që më nuk ka nevojë të bëjmë pyetje se çfarë duhet të bëhet, e as nuk ka nevojë ta pyesim vetëm si ta bëjmë, pyetja është kur ta bëjmë. E nëse më pyesni mua, unë, do të thosha pa vonesa duhet të fillojmë me zbatimin e marrëveshjes”, ka theksuar Lajçak në një prononcim për media pas takimit me Kurtin e Bislimin.
Sipas Lajçakut, diskutimet në qeverinë e Kosovës ishin shumë të gjata dhe se për vizitën në Beograd dhe Prishtinë do ta vendosë në dijeni edhe lidershipin e BE-së.
“Tani do të analizoj ato çfarë kam dëgjuar si këtu, ashtu edhe në Beograd në takimin me presidentin Vuçiç dhe do t’i informoj shtetet anëtare dhe lidershipin e BE-së, e më pas do të përgatisim hapat e ardhshëm.
Ne vërtet duam që procesi i normalizimit të vazhdoj sepse sjellë përfitime për të gjithë qytetarët që jetojnë këtu. Por, mund të them se kisha bisedimet të rëndësishme, të dobishme dhe të sinqerta”, ka theksuar Lajçak.
I pyetur nëse Kurti dhe Bislimi janë të gatshëm të shtyjnë vendimin për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, emisari i BE-së ka thënë se gjatë takimit është diskutuar për këtë çështje, por se sipas tij më shumë informata rreth kësaj çështje do të jepen ditën e nesërme.