Lajçak informon Këshillin e Evropës për dialogun Kosovë-Serbi
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se ka marrë pjesë në ngjarjen e diplomatëve të rinj nga Ballkani Perëndimor, të organizuar nga Instituti i Universitetit Evropian në Firencë të Italisë.
Në llogarinë e tij në Facebook, Lajçak tha se pas këtij evenimenti ka udhëtuar drejt Strasburgut me ftesë të anëtarëve të Këshillit të Evropës, të cilët i ka informuar në lidhje me dinamikën dhe zhvillimet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Një ngjarje që e pres gjithmonë me padurim është seminari i rregullt për diplomatët e rinj nga Ballkani Perëndimor, i organizuar nga Instituti Universitar Evropian në Firence. Ishte frymëzues përfshirja në një diskutim të gjallë rreth politikëbërjes së BE-së, politikës në zhvillim të zgjerimit dhe sfidave me të cilat përballet rajoni sot” shkruan Lajçak.
“Nga Firence, udhëtova për në Strasburg me ftesë të anëtarëve të Këshillit të Evropës. Në këtë qytet të bukur në kufirin franko-gjerman, pata privilegjin të informoj anëtarët e Këshillit të Evropës dhe shtetet anëtare të BE-së për gjendjen dhe dinamikën aktuale të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi
” Ndërsa isha në Strasburg, shfrytëzova gjithashtu mundësinë për të bashkëbiseduar me një numër zyrtarësh të Këshillit të Evropës për çështjet tona përkatëse”, tha Lajçak