Lajçak mbërrin në Kosovë- Zhvillon takim me kryenegociatorin Bislimi në selinë e qeverisë
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi Miroslav Lajçak, ka nisur vizitën në Prishtinë. Ai mbërriti në godinën e Qeverisë, ku sipas mediave vendase po takohet me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për përgatitjen e takimit me kryenegociatorët e dialogut në Bruksel.
Ende nuk dihet nëse në agjendën e Lajçakut janë parashikuar takime me zyrtarë të tjerë në Kosovë. Më herët, Bashkimi Europian e ka konsideruar prioritet organizimin e raundit të ri të dialogut mes kryenegociatorëve të dy vendeve Bislimi dhe Petar Petkoviç.
Lajçak paralajmëroi vizitën në Prishtinë javën e kaluar nga Praga, pas një takimi me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, por ndryshe nga vizitat e tjera këtë herë, përfaqësuesi i BE-së nuk do të ndalojë në Beograd, pas Prishtinës.
Vizita e Lajçak në Prishtinë vjen pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit. Më 30 gusht Policia e Kosovës mbylli pesë institucione paralele që funksiononin sipas sistemit serb. Ky vendim u kritikua ashpër si nga Bashkimi Evropian edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i quajtur veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.