I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha të enjten në Bruksel se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet të dyja palëve. Ai e tha këtë gjatë debatit për zgjerimin të zhvilluar nga organizata “Miqtë e Evropës“.
Lajçak theksoi se e ardhmja evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk mund të shihet as në ëndërr pa normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një çështje me rëndësi strategjike. Pa këtë normalizim nuk mundemi as të ëndërrojmë të ardhmen evropiane. Kemi progres kohëve të fundit në këtë drejtim. Së shpejti do ta mbyllim dosjen e energjisë, ka progres në çështjen e targave, në çështjen e personave të pagjetur, në çështjen e zgjedhjeve lokale në veri dhe në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, deklaroi Lajçak, duke shtuar se ai është në kontakt të vazhdueshëm me palët për të vazhduar me zbatimin, shkruan REL.
Ai bëri thirrje që të mos humbet kohë për implementimin e obligimeve nga dialogu dhe të mos humbet rasti për avancim në rrugëtimin drejt BE-së. Lajçak shtoi se viti i ardhshëm do të jetë një vit me kalendar të ngjeshur politik, sepse do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Lajçakut, tash është një moment i ri në procesin e zgjerimit, që është shumë më i favorshëm sesa më parë. Ky moment i ri, tha ai, është krijuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe agresioni i tij ndaj Ukrainës”.
Ndonëse “gjeopolitika e ka hapur derën për integrim në BE”, sipas emisarit të BE-së, “ajo nuk do t’ju kalojë vetvetiu përmes kësaj dere, sepse për një gjë të tillë duhet të përmbushen kushtet”.
“Për herë të parë e shoh BE-në më të gatshme për Ballkanin sesa Ballkani për BE-në”, u shpreh Lajçak duke përsëritur se vendet e rajonit duhet t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura mes tyre, në mënyrë që një ditë të mos mund të bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së.
Në debatin kushtuar procesit të zgjerimit, Bashkimi Evropian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike i miratuar më 8 nëntor nga Komisioni Evropian.
Plani për rritje ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor parasheh një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Sipas planit, nga kjo shumë, deri në 2 miliardë euro do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.
Në debat marrin pjesë edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, drejtori i përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Jan Coopman, dhe shumë pjesëmarrës tjerë.
Coopman tha se qëllimi i BE-së është t’i integrojë sa më shumë vendet e rajonit edhe para se të bëhen anëtare të BE-së, përfshirë edhe integrimin në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian.
Në takim morën pjesë edhe ministrat nga disa vende të rajonit. Ata mbështetën idenë për integrimin gradual para integrimit formal në BE, por jo të shihet si alternativë e anëtarësimit.
“Për të realizuar këtë, rajoni duhet t’i tejkalojë problemet e hapura. Nuk mund të pranojmë vende, të cilat kanë raporte të helmuara”, tha Coopman duke përmendur çështjet e hapura rreth kufijve.
Këto kushte, sipas diplomatëve në BE, kanë të bëjnë para së gjithash me Kosovën dhe Serbinë, të cilat janë të përfshira në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ne do ta kushtëzojmë planin e rritjes me normalizimin e raporteve. Kjo duhet të Duhet të ketë përparim në këtë [aspekt]. Nuk kemi më kohë për të pritur”, deklaroi Coopman. Ai tha se vlera e mjeteve nga ky plan është e madhe dhe nëse shtetet nuk i shfrytëzojnë, qytetarët do të humbasin.
Ministri për çështje evropiane i Çekisë, Martin Dvorak, rikujtoi se nuk do të ketë mundësi për asnjë vend kandidat që të shmangë përmbushjen e kritereve në procesin e avancimit drejt BE-së.
Ndërsa, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, bëri thirrje që BE-ja të dëshmojë se kësaj radhe mundësia për integrim në BE është vërtet reale. Ai tha se Serbia po bën shumë në procesin e reformave sikur edhe në ndihmën për Ukrainën.
“Serbia po bën shumë për Ukrainën, por ju lutem të mos e bëni të madhe këtë, sepse nuk do të ishte në interes të të gjithëve në Serbi“, tha Hill.
Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?
Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian më 8 nëntor të këtij viti është i bazuar në katër shtylla.
Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”. Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.
Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.
Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.
Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.
Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.
Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”
Barazimi i Vllaznisë në transfertë me Egnatian 1-1, ndeshje kjo për llogari të javës së…
Vihet re që në Shkodër tashmë turizmi po fillon të shtrihet gjatë vitit, duke e…
Sezoni i dimrit sjell me veti edhe virozat e stinës si dhe gripin, ku shumë…
Drejtorja e zyrës vendore arsimore Shkodër, Brisela Kadja ishte e ftuara e parë e emisionit…
“Agro Fest” ka mbledhur në Gurin e Zi operator turistik, fermerë dhe banorë të zonës…
2 raste me brucelozë kanë rezultuar përgjatë këtij viti në qarkun Shkodër, për të cilat…
This website uses cookies.