Lajm i mirë për klubet evropiane, Kupa e Afrikës 2025 luhet në verë
Në vitin 2025 Kupa e Kombeve të Afrikës do të zhvillohet në verë. Lajmi është bërë i ditur nga Federata Marokene e Futbollit, vendi pritës i edicionit të ardhshëm.
Nëpërmjet një deklarate ata njoftojnë konfirmimin e trajnerit Walid Regragui, pavarësisht eliminimit të bujshëm të kombëtares marokene, në fazën e 16-ve të finales të turneut aktual. Vendimi për ta zhvilluar kupën e Afrikës në verë, i ka bërë të lumtur klubet evropiane, të cilat nuk janë më të detyruara të heqin dorë nga lojtarët e tyre në mesin e sezonit me një kalendar të ngjeshur angazhimesh në kampionat dhe kupa.
Nuk do të jetë hera e parë që Kupa e Kombeve të Afrikës do të mbahet në verë: kjo ndodhi edhe në vitin 2019 në Egjipt. I vetmi problem për lojtarët do të jetë përballja me temperaturat e larta në periudhën e veresë.