“Lambiase, karakter i duhur për Verstapenin”Kreu i skuadrës së “Red Bull”-it, …
“Lambiase, karakter i duhur për Verstapenin”
Kreu i skuadrës së “Red Bull”-it, Kristian Horner, e ka cilësuar me humor inxhinierin e garës, Xhianpiero Lambiase, me aktorin Xhejson Stetham, duke e lavdëruar për forcën e karakterit që ka për t’u përballur Maks Verstapen. Ky i fundit dhe inxhinieri i tij spikatën të premten e shkuar me mosmarrëveshjet në komunikimin në radio për strategjinë gjatë provave zyrtare të premten. Më pas vijoi një debat edhe më i ashpër gjatë garës, veçanërisht kur Lambiase i kërkoi pilotit të përdorte më tepër mendjen e tij, pasi Verstapeni po i konsumonte më tepër se ç’duhej gomat e tij drejt fundit të garës.
Më pas, Verstapen tha me shaka se do të kërkonte një tjetër ndalesë për ndërrim gomash, që të ushtroheshin teknikët, por inxhinieri italian vijoi t’ia priste shkurt. Kur u pyet për këtë episod, Horneri kishte fjalë të mira për Lambiasen, për faktin se kishte një karakter të fortë, të aftë për t’u përballur me një “klient të bezdisshëm” si Verstapeni, duke e krahasuar madje inxhinierin me aktorin e Hollivudit, Xhejson Statham. “Mendoj se të jesh inxhinier gare i Maks Verstapenit, duhet të kesh karakter të fortë, sepse ai është një pilot kokëfortë”, – ka deklaruar Horneri.
“Shumë inxhinierë gare do të thyheshin nën një trysni të tillë, por Xhanpiero e ka forcën e karakterit për ta përballuar, – ka vijuar ai, duke shtuar: “Ai është si Xhejson Statham për ne, për më tepër që edhe ngjajnë. Ai përballet me gjithçka me forcë, por edhe me konsideratë dhe midis tij dhe pilotit ka shumë respekt të ndërsjellë. I vetmi problem është që bisedat midis tyre i dëgjojnë edhe 200 milionë njerëz të tjerë. Por, në fund të ditës, ekziston një lidhje dhe një besim i madh i ndërsjellë midis atyre të dyve”, – ka përfunduar kreu i skuadrës së “Red Bull”-it, Kristian Horner.