Lanë Italinë dhe investuan në Lezhë, burri shqiptar dhe gruaja italiane, të kënaqur
Pas 30 vitesh emigracion, Besnik Nika sëbashku me bashkëshortën e tij Italiane vendosi të rikthehet në vendlindje. Shiten gjithçka kishin krijuar në Itali dhe investuan në qytetin e Lezhës, duke ngritur dy bar- kafe dhe piceri.
Rritja e kostos së jetës dhe klima aspak e përshtatshme për biznesin në Itali, e detyruan Besnik Nikën që të rikthehet në Shqipëri dhe sot është mjaft e i kënaqur për atë çfarë ka krijuar.
Pavarësisht vështirësive në komunikim për shkak të gjuhës, Alina Cioli e cila ndihmon duke iu shërbyer klientëve thotë se ndihet mjaft mirë në vendin tonë.
“Ndjehem shumë mirë në Shqipëri edhe puna po na ecën. Me gjuhen shqipe kam pak probleme, e kuptoj shume mirë, por nuk e flas rrjedhshëm. Nga ana tjetër të gjithë klientët flasin dhe kuptojnë italisht dhe kjo më ndihmon shumë. Njerëzit janë shumë miqësor dhe të sjellshëm e të japin shumë respekt. Këtu ndihem shumë e sigurt. Italia është kthyer në problem kohët e fundit, kë frike të dalësh, pasi nuk ka siguri fare. Me pak fjalë këtu po ndjehem mjaft mirë, pasi dhe puna po na ecën“, shprehet bashkëshortja.
Teksa provoi emigracionin për 30 vite Besnik Nika ka një apel për të gjithë ata që e kanë braktisur Shqipërinë apo të tjerë që po mendojnë të largohen.
“ Ikni nga Italia se pse janë shtuar taksat, janë shtuar të gjitha gjërat dhe jetesa është bërë më e vështirë. Nuk jetohet më atje” apelon Nika.
Ky çift bashkëshortesh nuk janë të vetmit që kanë vendosur të rikthehen dhe krijojnë jetesën e tyre në Shqipëri. Në Lezhë ka dhe shtetas të tjerë të huaj të cilët, kanë zgjedhur këtë zonë për të punuar dhe jetuar.