Lara Colturi “në merkato”, “Sky Italia” analizon situatën

Botërori i Skive sapo ka përfunduar. Imazhet e gëzimit të Federica Brignone me Kupën e kampiones në dorë dhe ato të dhimbjes për dëmtimin e saj janë ende në sytë e të gjithë Italisë. Por siç ndodh në të gjitha sportet, sapo përfundon një sezon, hapet merkato për sezonin e ardhshëm. E në qendër të thashethemeve të tij tashmë është Lara Colturi.
Sky.it i nëpërmjet një artikulli në faqen e tij zyrtare, ka analizuar të premten situatën e skiatores që garon për ngjyrat kuqezi. Prej disa ditësh në Tiranë po qarkullojnë lajmet për të ardhmen e 18-vjeçares piemonteze që garon për Shqipërinë.
Vajza e Daniela Ceccarelli dhe Alessandro Colturi, thuhet se i ka kërkuar FIS, Federatës Ndërkombëtare të Skive, që të ketë dritën e gjelbër për të ndryshuar federatë dhe të konkurrojë për Italinë. Rregullorja thotë se kalimi nga një komb në tjetrin mund të bëhet deri në 1 majin e ardhshëm, por për këtë duhet një marrëveshje midis kombeve të përfshira, si për Federatat ashtu edhe për Komitetet Olimpike.
Në praktikë, nëse Shqipëria jep miratimin e saj, Lara Colturi mund të konkurrojë për Italinë vitin e ardhshëm pa humbur pikë të çmuara të FIS. Pa këtë marrëveshje, 18-vjeçarja do të detyrohej të vazhdonte garat për Shqipërinë, ose të ndalonte për një vit, hipotezë që sigurisht nuk ka gjasa të ndodhë duke qenë se do të jetë viti i Olimpiadës 2026 në Milano Cortina.
Lara Colturi këtë vit vjen nga tre podiume në Kupën e Botës: dy vende të dyta në sllallomin gjigand dhe një të tretë në sllallom, duke përfunduar e teta në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës. Arsyet që e kanë shtyrë skiatoren piemonteze t’i kërkonte FIS ndryshimin e federatës, lidhen me ato kontraktuale dhe ekonomike. E për momentin, asnjë koment, konfirmim apo mohim nuk ka dalë as nga qarqet federale italiane.