Lavrov viziton sot Kinën, do diskutohet mbi luftën në Ukrainë
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov viziton këtë të hënë (8 prill) Kinën me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe ku tema kryesore e diskutimit do të jetë çështja e Ukrainës dhe situata në rajonin e Azi-Paqësorit.
Sipas një njoftimi në Twitter të Ministrisë së Jashtme ruse, Sergej Lavrov ka zbarkuar në Pekin dhe do të qëndrojë në kryeqytet edhe të martën, ku pritet të zhvillojë bisedime me homologun e tij kinez WangYi.
“Është planifikuar një shkëmbim i thelluar i pikëpamjeve për një sërë çështjesh,” thuhej në njoftim, me Ministrinë e Jashtme ruse duke iu referuar “krizës së Ukrainës” dhe “situatës në rajonin e Azi-Paqësorit”, sipas një deklaratë nga Moska.
Pasi ushtria ruse pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, marrëdhëniet midis Moskës dhe Pekinit u forcuan.
Në mars 2023, presidenti kinez Xi Jinping udhëtoi për në Moskë, ku ai dhe homologu i tij rus Vladimir Putin riafirmuan “miqësinë e pakufishme” midis dy vendeve, të cilat të dy denoncojnë hegjemoninë perëndimore në skenën ndërkombëtare.
Kina, e cila paraqitet si një palë neutrale në luftën në Ukrainë, megjithëse është bërë partneri kryesor ekonomik i Rusisë në dy vitet e fundit, ka mbrojtur një zgjidhje politike për t’i dhënë fund armiqësive.
Perëndimi shpesh i ka bërë thirrje që të luajë një rol më aktiv në përfundimin e kësaj lufte, duke përdorur ndikimin e tij në Moskë.