Lazio sfidon Bayernin, Champions League rikthehet në RTSH
Champions League rikthehet në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar mbrëmjen e sotme me supersfidën Lazio-Bayern i Mynihut, që do të startojë në orën 21:00. Ka nisur faza më interesante e kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube, ajo me eliminim direkt.
Bardhekaltërit e Lazios do të presin në “Olimpico” gjigantët gjermanë në aktin e parë të kësaj përballjeje të dyfishtë, që do të vendosë se kush nga dy skuadrat do të kualifikohet në çerekfinalet e këtij edicioni të Champions League.
Bayerni grumbulloi 16 pikë në fazën e grupeve duke dominuar Manchester United, FC Copenhagen dhe Galatasaray, por performanca e bavarezëve në kampionat lë për të dëshiruar dhe situata nuk është aspak e qetë pas humbjes 3-0 përballë rivalëve të Leverkusen në kampionat.
Lazio zyri vendin e dytë në fazën e grupeve dhe për herë të tretë në histori skuadra bardhekaltër kualifikohet në fazën me eliminim direkt të Championsit. Herën e fundit që italianët kanë qenë në këtë tur, janë eliminuar nga Bayerni në sezonin 2020-2021. Skuadra e Sarrit aktualisht renditet në vendin e tetë në Serie A.
Serge Gnabry, Kingsley Coman, Daniel Peretz, Alphonso Davies, Bouna Sarr, Konrad Laimer dhe Tarek Buchmann do të mungojnë për gjermanët në transfertën e sotme.