Lë qelinë ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Fran Tuci u dënua për 234 mln lekë dëme në infrastrukturë rrugore
Ka lënë dyert e qelisë ish-kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, i dënuar me shpërdorim detyre, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij, Durim Margjekaj dhe Ndoc Marku. Sipas përllogaritjeve, Tuci ka shlyer dënimin me 1 vit e 6 muaj izolim, me kohën e qëndrimit në paraburgim dhe uljeve që mori në vijim nga gjykimi i shkurtuar dhe sjellja e mirë.Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pranoi kërkesën e avokatëve për shuarjen e dënimit, teksa Tuci ishte arrestuar prej më pak se një viti, konkretisht më 13 korrik 2023. Ditët e paraburgimit llogariten një me tre, pra më shumë se një vit i vuajtur në qeli dhe shuarje e pjesës së mbetur me disa muaj. 234 milionë lekë është dëmi i përllogaritur nga SPAK në buxhetin e shtetit për të cilin Tuci dhe dy të tjerët u shpallën fajtor, vendim që u la në fuqi edhe nga Apeli i Posaçëm. Sipas organit të akuzës, Fran Tuci ka shpyllëzuar një zonë të madhe në bashkinë që drejtonte, duke ndërtuar një segment rrugor, për të cilën ai vetë thotë se i është kërkuar nga qytetarët e zonës.