Lejuan ndërtime të paligjshme në Shirokë, 9 zyrtarë të IMT-së dhe Kadastrës nën akuzë për “shpërdorim detyre”
9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë dërguar për gjykim nga Prokuroria Shkodër për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Sipas prokurorisë zyrtarët kanë lejuar ndërtimin në mënyrë të paligjshme të një objekti 2-katësh në zonën e Shirokës dhe nuk kanë denoncuar rastin edhe pse kanë pasur dijeni për ndërtimin.
Lidhur me punonjësit e Kadastrës Shkodër, prokuroria i akuzon se kanë mundësuar legalizimin e disa objekteve të ndërtuara pa leje në të njëjtën zonë, ku për shkak të statusit dhe mbrojtjes së veçantë, legalizimi i objekteve informale është i ndaluar me ligj.
Në gjykim janë dërguar dy inspektorë të IMT Ergys Karrametaj dhe Mirsad Hallunaj, të Kadastrës Shkodër: Ardian Dodani, Besmir Lekaj, Erleta Bala, Fatjon Tahiri, Ilira Shqarri, Suad Smakaj dhe Besmir Vukaj
Ndërtimet e paligjshme në Shirokë
Sipas prokurorisë Shkodër rezulton se shtetasja A.D., pasi ka konstatuar ndërtimin e paligjshëm të një objekti dy-katësh në zonën e Shirokës, i cili po ndërtohej nga shtetasja S.K., në një sipërfaqe toke të pretenduar si në pronësi të familjes së kallëzueses, ka kallëzuar në prokurori faktin se punonjësit e IMT-së Bashkia Shkodër, nuk kishin marrë masa për pengimin e ndërtimit edhe pse ishin njoftuar vazhdimisht prej saj.
Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasit E.K. dhe M.H., inspektorë pranë IMT-së Bashkia Shkodër, edhe pse ishin njoftuar për kryerjen e ndërtimit të paligjshëm dhe ishin ngarkuar për verifikimin e ankesave të kallëzueses, pasi kanë shkuar në terren, nuk e kanë evidentuar këtë fakt në një procesverbal konstatimi, duke raportuar se nuk ishte konstatuar asnjë ndërtim i ri, në një kohë kur nga këqyrja e bërë nga ana e policisë gjyqësore, është provuar ndërtimi i këtij objekti të ri. Madje, për ndërtimin e paligjshëm të këtij objekti është dënuar me vendim të formës së prerë edhe ndërtuesja e tij, shtetasja S.K.
Ndërkohë, pas hetimit lidhur me legalizimin e objektit informal të ndërtuar nga shtetasja S.K., si dhe pas thellimit të hetimeve edhe për 9 raste të tjera të legalizimit të objekteve informale po në zonën e Shirokës, Shkodër, ka rezultuar se procedura e legalizimit të tyre është kryer në kundërshtim me ligjin, pasi zona ku ndodhen objektet përkatëse është e mbrojtur me status të veçantë si rezervat natyror i menaxhuar, e për pasojë, legalizimi i tyre ka qenë i ndaluar.