Lëklerk beson sërish te Vasër
Charles Leclerc ka hasur vështirësi të ndryshme në pistë, gjatë këtij sezoni, aq sa nuk ka mundur të performojë ashtu siç do të kishte dashur. Për këtë arsye, piloti nga Monako nuk ka qenë në të njëjtën lartësi me shokun e tij të skuadrës Carlos Sainz, i cili ka arritur edhe fitoren e parë dhe të vetme për skuadrën e kuqe këtë sezon. Megjithatë Leclerc ka besim te ekipi dhe mbi të gjitha te drejtori Frederic Vasseur.
“Vasseur është i zoti të të motivojë dhe të qetësojë. Ai gjithmonë është shumë i drejtpërdrejtë dhe shumë i sinqertë me mua. Kjo është ajo që më duhet për të bërë më të mirën time në pistë. Eshtë e vështirë të gjesh njerëz të tillë në formula 1” – ka thënë Leclerc.
Ferrari në këtë sezon të vështirë, me ulje-ngritje, kulmoi me fitoren e Carlos Sainz në Singapor, e cila erdhi pas dominimit absolut gjatë gjithë fundjavës, në të cilën ai siguroi edhe pole position.
Piloti spanjoll i Ferrarit, në përgatitje të garës së ardhshme, ka një propozim për drejtuesit e Formula 1, për një garë të re në Macao: “Për mendimin tim ne mund të garojmë një herë në vit në Macao. Pista aty është e ndryshme dhe mund të krijojë një diferencë më të madhe midis pilotëve në krahasim me atë që krijohet në një pistë normale” – ka thënë piloti i Ferrarit.