Leku vijon të forcohet, faktorët kryesorë mbeten ndërtimi dhe remitancat
Referuar të dhënave të Bankës e Shqipërisë monedha evropiane ndodhet në nivelin e 102.3 lekë. Tendenca rënëse që po shoqëron euron vërehet edhe tek të gjitha monedhat e tjera.
Për ekspertin Klodian Muçon faktorët e jashtëm apo edhe politikat e ndjekura nga institucionet bankare ndërkombëtare nuk kanë dhënë efekt në ecurinë e kursit të këmbimit në vend.
“Muajt e fundit janë faktorë të tjerë që nuk dalin në aparencë. Me periudhën sot i bie që kemi më pak turistë kështu që nuk është as roli turistik këtu që po ndikon në forcimin e monedhës vendase”, tha Klodian Muçon.
Afrimi i festave të fund vitit, për Muçon do të sjellë një forcim të mëtejshëm të Lekut.
“Do furnizohemi me një sasi relativisht të lartë të remitancave kështu që tendenca është që monedha jonë vendase të vazhdojë të forcohet duke arritur te rreziku që të gjithë në presim që të shkojë gati një me njëqind”, tha Muço.
Për ekspertin situata e kursit të këmbimit do të dëmtojë më tej eksportet shqiptare çka u reflektua edhe në sektorë të veçantë përgjatë tremujorit të tretë të vitit.
Muço vlerëson se duhet të ishin marrë masa nga ana e qeverisë në mënyrë që buxheti 2024 ti përgjigjej vështirësive që has biznesi si pasojë e mbivlerësimit të lekut.