Lens interesohet për Kevin Dodaj, 19- vjeçari i Vllaznisë drejt hapit të madh në karrierë
Një prej talenteve më të spikatur të Vllaznisë është vënë në radarët e skuadrave të njohura europiane.
Lojtari i Kombëtares U-21, Kevin Dodaj, gjatë kësaj merkatoje është një nga futbollistët më të kërkuar.
Fillimisht kishte interesime nga ekipe në Ukrainë, ndërsa tashmë, sipas shtypit të shkruar, bëhet me dije se Dodaj kërkohet në Ligue 1.
19-vjeçari ka shumë gjasa të bëjë hapin e madh në karrierën e tij, teksa është skuadra e Lens që kërkon shërbimet e tij. Ky është një opsion shumë i mirë për Dodajn, me skuadrën franceze që është gati të realizojë këtë transferim.
Nga sa mësohet, këtë operacion e ka marrë përsipër menaxheri i njohur shqiptar, Shkumbin Qormemeti, i cili, vetëm pak ditë më parë, realizoi me sukses transferimin e Khvicha Kvaratskhelia nga Napoli te PSG.
Kevin Dodaj mbetet një nga lojtarët kryesorë te Vllaznia në këtë kampionat, ku me lojën dhe golat e tij i ka shërbyer shumë kuqebluve. Një largim i mundshëm në këtë fazë të kampionatit mund të jetë një minus për shkodranët, por në aspektin personal, për Dodajn, aktivizimi në ligën franceze do të ishte një rritje në karrierën e tij sportive.