Letërsia për fëmijë në tkurrje – Bushati: Dominojnë librat e perkthyer, fëmijët pak interes për leximin

Letërsia shqipe për fëmijë po përballet me një tkurrje të ndjeshme, duke pasur gjithnjë e më pak shkrimtarë të angazhuar në këtë fushë.
Ky është konstatimi i shkrimtarit për fëmijë, Xhahid Bushati, i cili vëren një tendencë në rritje të librave të përkthyer, pasi botuesit po i kushtojnë më shumë vëmendje përkthimeve sesa letërsisë vendase.
Një tjetër sfidë serioze për leximin tek fëmijët është përdorimi i gjerë i teknologjisë, e cila po e largon gjithnjë e më shumë brezin e ri nga libri.
Sipas Bushatit, për të kultivuar dëshirën për lexim tek fëmijët, një rol kyç ka familja, ndërsa faktorë të tjerë ndikues mbeten shkolla dhe mjedisi shoqëror.
Shkrimtari thekson gjithashtu rëndësinë e pasurimit të infrastrukturës letrare për fëmijët.
Përveç ekzistencës së bibliotekave , krijimi i librarive të veçanta që ofrojnë edhe mundësi argëtimi për fëmijët, shihen si mënyrë efikase për të nxitur kulturën e leximit tek të vegjlit.