Lëvizte me automatik, arrestohet 38-vjeçari, në Lezhë sekuestrohen armë zjarri, municione dhe 2500 fara kanabisi
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore që sigurohet në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për shtetasit që mbajnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën në flagrancë dhe arrestuan një 38-vjeçar, banues në fshatin Stajkë. 38-vjeçari, në gjendje të dehur, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë së rendit për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet. Ai është kapur dhe ndaluar menjëherë dhe me vete i është gjetur 1 armë zjarri automatik të cilën e mbante pa leje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë policia e Lezhës ka sekuestruar 1 armë zjarri, 1 armë gjahu, municione për këto armë, 2500 fara cannabisi, një sasi cannabisi, 5 radio marrëse-dhënëse dhe pajisje të ndryshme elektrike.Si pasojë, ka përfunduar në pranga 62-vjeçari, Ndue Gjini dhe është shpallur në kërkim nipi i tij, Ardit Gjini, të cilët po krijonin kushtet për mbjelljen e farave të kanabisit. Ndërkohë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.