Lezhë-Montonte mina me telekomandë për t’ua shitur grupeve kriminale, arrestohet 45-vjeçari
Një 45-vjeçar është arrestuar nga blutë e Lezhës pasi montonte mina me telekomandë me lëndë plasëse C4, për t’ua shitur grupeve kriminale.
Sipas Policisë, 45-vjeçari u kap duke transportuar minat me telekomandë me shpërthim në distancë, të cilat i kishte fshehur në trup.
Në cilësinë e provës materiale, Policia e Lezhës ka sekuestruar 3 mina e montuara me celularë dhe sasinë e kanabisit. Kujtojmë se disa ditë më parë Policia e Mirditës sekuestroi gjithashtu 2 mina me telekomandë dhe 1 kallashnikov, si dhe arrestoi poseduesin e tyre.
“Në qytetin e Lezhës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin e dyshuar I. Gj., i cili mund të transportonte minat me telekomandë dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 3 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë, dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale, për kryerjen e krimeve kundër personit.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi I. Gj., 45 vjeç, banues në Lezhë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 minat (të montuara me celularë) dhe sasia e cannabisit”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me këtë arrestim, ka reaguar dhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili ka përgëzuar punën e bërë nga policia, si dhe ka deklaruar se parandalimi i ngjarjeve kriminale është detyrë parësore e Policisë së Shtetit.
“Goditja e vazhdueshme e personave/rrjeteve të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve plasëse dhe armëve si rastet e fundit në Lezhë janë një lajm i mirë që duhet përgëzuar”, tha Balla.