Lezhë- Përfitoi 3 mln lekë nëpërmjet mashtrimit duke u hequr si zyrtar i lartë, policia prangos një qytetar nga Tirana
Policia e Lezhës bëri të ditur se ka finalizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin policor të koduar “Flop”, për zbardhjen e një skeme mashtrimi për përfitimin e parave nga operatorët ekonomikë.
Sipas policisë, një shtetas ka përfituar 3 000 000 lekë nga administratori i një subjekti privat, pasi komunikoi me të në emër të përfaqësuesit të një institucioni vendor. Nisur nga ky mashtrim, policia ka vënë në pranga 57-vjeçarin nga Tirana, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen edhe të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin kërkuar një shumë parash me anë të mashtrimit, nëpërmjet një aplikacioni, kanë nisur hetimet me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Flop”, u arrestua në flagrancë shtetasi: M., 57 vjeç, banues në Tiranë.”, njofton policia.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi R. M., në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar, kanë përfituar 3 000 000 lekë nga administratori i një subjekti privat, pasi kanë komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesit të një institucioni vendor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.