Lezhë- Qarkullonte me pistoletë në makinë, arrestohet 20-vjeçari
Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi qarkullonte me armë zjarri me vete. Blutë e Lezhës bën me dije se 20-vjeçari Gjejson Noka ka kundërshtuar kryerjen e kontrollit fizik nga ana e efektivëve të forcave të posaçme “Shqiponjë”, dhe pas kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me municion luftarak.
“Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, ndaj shtetasve për të cilët ka indicie se posedojnë sende të kundërligjshme, Komisariati i Policisë Lezhë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, finalizoi operacionin policor të koduar “Next”. Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi Gj. N., 20 vjeç, banues në Lezhë.
Forca e Posaçme “Shqiponja” i ka bërë shenjë ndalimi, në rrugën “Kosova”, automjetit me të cilin lëvizte 20-vjeçari, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Ky shtetas ka kundërshtuar për kryerjen e kontrollit fizik, punonjësit e Policisë, të cilët i gjetën 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.