Liderët e G7-s përfundojnë samitin me paralajmërim për Kinën

Drejtuesit e vendeve të G7-s përfunduan takimin e nivelit të lartë me paralajmërimin më të fortë të bërë deri më tani Kinës, duke deklaruar se mbështetja nga Pekini për bazën e industrisë ushtarake të Moskës “po i mundëson Rusisë të vazhdojë me luftën e saj të paligjshme në Ukrainë”.

Udhëheqësit e G7-ës ranë gjithashtu dakord me propozimin e presidentit amerikan Joe Biden për t’i ofruar Kievit dhjetëra miliarda dollarë kredi, që do të shlyhen nga interesat e krijuara nga pasuritë e ngrira të Rusisë që gjenden në institucionet financiare perëndimore. Kryeministrja italiane, njëkohësisht organizatore e takimit të nivelit të lartë, Giorgia Meloni, tha se “kemi arritur një marrëveshje politike për të ofruar 50 miliardë dollarë mbështetje të mëtejshme financiare për Ukrainën deri në fund të vitit”.

Udhëheqësit e vendeve demokratike më të pasura të botës thanë se janë “të angazhuar për t’ia shtuar Rusisë kostot e luftës”, duke kërcënuar me vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj atyre që ndihmojnë Moskën në shmangien e sanksioneve.

Paralajmërimi ndaj Kinës gjendet në deklaratën e përbashkët të qarkulluar nga udhëheqësit ndërsa po përfundonte dita e dytë e takimit të nivelit të lartë në Apulia, të Italisë. Komunikata përmban gjuhën më të fortë të përdorur deri më tani ndaj Pekinit, duke reflektuar kështu zhgënjimin e presidentit Joe Biden me rolin që po luan Kina në fuqizimin e makinerisë së luftës së Rusisë.

Pekini po i ofron Rusisë teknologjinë për të prodhuar armë, tha presidenti Biden të enjten në mbrëmje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. “Pra, po ndihmon në fakt Rusinë”, tha ai.

Udhëheqësit e G7-ës vunë në dukje rrezikun që paraqet Kina për sigurinë e ekonomisë globale, përfshirë mbiprodhimin e makinave elektrike dhe praktikat e tregtisë dhe investimeve në vendet në zhvillim.

Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën rritje të tarifave deri në 38% për importet e automjeteve elektrike kineze, mes hetimeve nëse prodhuesit kinezë të automjeteve po mbingarkojnë tregjet evropiane me automjete elektrike më pak të shtrenjta, të subvencionuara nga qeveria.

Pekini tha se “do të marrë të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur interesat e tij, por nuk u kundërpërgjigj ndaj BE-së.

Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara katërfishuan tarifat për automjetet elektrike kineze dhe vendosën rritje të mëdha për disa produkte të çelikut dhe aluminit kinez, panelet diellore dhe gjysmëpërçuesit.

“Me kalimin e kohës, është më e qartë se ambicia e presidentit [kinez] Xi [Jinping] është të rivendosë dominimin e Kinës të paktën në rajonin Indo-Paqësor, ndoshta edhe më gjerë. Dhe kjo po zhvillohet kryesisht nëpërmjet një përpjekjeje për të vendosur dominim ekonomik dhe teknologjik”, u tha një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden gazetarëve që udhëtonin me presidentin të premten. Zyrtari foli në kushte anonimiteti për të diskutuar çështje diplomatike.

Mbështetja e Pekinit për Rusinë mund të “përbëjë një kërcënim afatgjatë për sigurinë e Evropës”, paralajmëroi zyrtari amerikan.

Në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione dytësore ndaj entiteteve që ndihmojnë Moskën, përfshirë kompanitë me seli në Kinë që shesin gjysmëpërçues në Rusi dhe banka më të vogla kineze me lidhje me institucionet financiare ruse ndaj të cilave janë vendosur më herët sanksione citon VOA.

Pekini i denoncoi sanksionet, duke akuzuar Uashingtonin për përdorimin e luftës “si një mundësi” për të shtypur vendet e tjera. “E gjithë kjo zbulon kalkulimet e Shteteve të Bashkuara, hipokrizinë dhe çfarë përndjekësi janë”, tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.