Liga e Europës, llogaritë janë të hapura
Liga e Europës në ora 18:45 dhe 21:00 luan ndeshjet e raundit të katërt, atje ku mund të zgjidhen shumë llogari për të vazhduar më tej.
Roma ka një pengesë të madhe sot për të kaluar, ndërsa në “Fortuna Arena” të Pragës do të jetë përballë Sllavias. Roma 9 pikë dhe Sllavia 6 pikë kjo për grupin G, ndërsa një fitore e verdhekuqve do t’i garantonte kryesimin dy javë përpara dhe kalimin në raundin tjetër të Ligës së Europës. Një ndeshje e vështirë për Romën, e cila nuk ka fituar asnjëherë në transfertat çeke.
E njëjta llogari është dhe në grupin H, ku Bajer Leverkusen me 9 pikë prêt në shtëpi Karabagun, që ka 6 pikë. Ndërkohë një sfidë interesante ajo mes Shturmit të Gracit dhe Atalantas së Berat Gjimshitit në grupin D. Barazimi i ndeshjes së parë 2-2, teksa Shturm Grac në 13 ndeshjeve ndaj klubeve italiane kishte fituar vetëm një, e bën Atalantan që të kërkojë fitore, e cila nëse ndodh i garanton kualifikimin nisur dhe nga përplasjet direkte.
Një tjetër duel interesant dhe Tuluzë – Liverpul, atje ku një fitore e mundshme e skuadrës së Jurgen Klop do të thotë kualifikim. Konsiderohen të ekuilibruar çiftet Aek Athinë – Olimpik Marsejë, Uest Hem – Olimpiakos, Rejxhërs – Sparta Pragë, Real Betis – Aris Limasol, Ajaks – Brajton, Rëne – Panathinaikos kjo dhe për shkak të pikëve që kanë skuadrat.
Kujtojmë që të parat e grupeve kalojnë direkt në 1/8 e finaleve, të dytat bëjnë Play-off me ato që vijnë nga Liga e Kampioneve, kurse skuadrat e treta të grupeve zbresin në Ligën e Konferencës. E në këtë mënyrë, Liga e Europës premton emocione.