Liga e Evropës, pozitive për shqiptarët
Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka mbyllur të enjten fazën e ndeshjeve në grupe, teksa janë luajtur të mërkurën takimet e fundit të të 8 grupeve të saj, të cilat kanë përcaktuar edhe skuadrat që marrin vendin e parë dhe shmangin një tur, por edhe ato të vendit të dytë, që shkojnë në “play-off” me 8 të eliminuarat nga Liga e Kampioneve, si dhe skuadrat e vendit të 3-të, që shkojnë në “play-off”-in me skuadrat e renditura të dytat në Ligën e Konferencës. Në takimet e luajtura më herët të të enjten, Karabagu, ku aktivizohet Redon Xhixha, ka siguruar vendin e dytë në renditjen e grupit H, pas fitores 2-1 në shtëpi ndaj Hakenit.
Xhixha u aktizivua si zëvendësues në minutat e fundit me skuadrën azere. Në fushën e blertë ka zbritur edhe Atalanta, por me skuadrën italiane që e kishte siguruar vendin e parë në grupin D, trajneri Gasperini ka zgjedhur ta lërë pushim qendërmbrojtësin kuqezi, Berat Gjimshitin. Ndërkaq, një tjetër kuqezi, Qazim Laçi ka qenë instrumental në fitoren e skuadrës së tij, Spartës së Pragës në Qipro ndaj Arisit të Limasolit.
Teksa e ka nisur si titullar në mesfushë, Laçi ka dhënë edhe pasimin e fundit për golin e 3-të të çekëve, të realizuar nga Birmançeviç në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Kjo fitore i siguroi Spartës së Pragës vendin e dytë në renditje dhe mundësinë për të vazhduar aventurën kontinentale në Ligën e Evropës, aty ku sidoqoftë do të ketë përballë një skuadër të eliminuar nga Liga e Kampioneve.