Ligjet miratojnë propozimin e PS për komisionet hetimore
Komisioni për Çështjet Ligjore ka miratuar me 15 vota pro projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”’, nismë kjo e depozituar nga deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj.
Deputetët e mazhorancës kanë rrëzuar dy nismat e depozituara nga deputeti Edmond Spaho dhe deputetja Jorida Tabaku.
Deputetja socialiste Ermonela Felaj ka bërë me dije se propozimi i saj bazohet në ligjin gjerman.
“Nga të gjitha komisionet hetimore, nga ’98 deri në 2023 janë ngritur 44 komisione hetimore në Shqipëri që krahasuar me mesataren europiane, jemi mbi mesatare.
Edhe pse janë ngritur shumë komisione hetimore, nuk kanë prodhuar dobi publike. Mënyra si kanë përfunduar punën këto komisione hetimore nuk ka treguar se janë vendosur në funksion të interesit publik. Janë ngritur dhe komisione qesharake, si komisioni veshi.
Komisionet hetimore janë mjet mbikëqyrje i rëndësishëm që i jepet pakicave parlamentare.
Kemi mbajtur parasysh modelin origjinal, modelin e Bundestagut gjerman, i jemi rikthyer atij modeli dhe kemi konstatuar disa mangësi”, tha Felaj.