“Liria e medias nën kërcënim global”, reagon Rama: Marrim masa për përmirësimin e mjedisit mediatik
Pas alarmit të ngritur nga Reporterët pa Kufij mbi përkeqësimin e lirisë së shtypit në Shqipëri, ka reaguar Kryeministri Edi Rama.
Ky i fundit ka bërë me dije se raporti do të analizohet me kujdes dhe do të ndërmerren veprimet e nevojshme për përmirësimin e mjedisit mediatik, mbrojtjes së lirisë së informacionit, luftës ndaj dezinformimit dhe forcimit të të drejtave të gazetarëve.
Rama shprëhu shqetësimin nga gjetjet kryesore të raportit se liria e medias është nën kërcënim globalisht.
“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot dhe dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve”, shkruan Rama në rrjetin social X.
Më tej, Rama garantoi se qeveria do marrë përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence.
“Ne jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim globalisht. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence”, theksoi kreu i qeverisë.
Organizata “Reporterët pa kufij” në raportin e përvitshëm bëri me dije se Shqipëria ka shënuar përkeqësim në lirinë e shtypit duke bërë që vendi ynë të renditet i fundit mes vendeve të rajonit në Ballkanin Perëndimor që është kandidate për në BE.
“Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian. Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta“, thuhej në raport.
Raporti theksoi se në Shqipëri liria e shprehjes dhe pavarësia e medias “kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor me të meta dhe rregullore partiake. Gazetarët janë viktima të akteve të frikësimit nga politikanët dhe krimi i organizuar”.