Liria e Shtypit, Avokati i Popullit: Të mbrohen të drejtat e gazetarëve
Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar mbi lirinë e shtypit në vend teksa thekson se e drejta e shprehjes mbetet themel i një shoqërie demokratike, ndërsa nënvizon rëndësinë e mbrojtjes së kësaj lirie thelbësore.
Avokati i Popullit bën të ditur se do të hedhë për diskutim në fillim e javës së ardhshme një Raport Përgjithësues mbi lirinë e shtypit dhe të drejtës së shprehjes.
“Ky Raport Përgjithësues i Avokatit të Popullit, një mjet institucional mjaft i rëndësishëm, bazohet mbi trajtimin e ankesës së gazetarit Elton Qyno, për të cilin është vlerësuar se ndërhyrja në sferën e të drejtave të Nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nuk ka qenë proporcionale dhe as e domosdoshme.
Në referim të këtij raporti, Avokati i Popullit thekson se çdo veprimtari shtetërore, duhet të ushtrohet duke pasur në qendër të drejtat e njeriut”, theksohet në deklaratën e Avokatit të Popullit.
Sipas deklaratës së Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca nënvizohet se “mbajtja në konsideratë e gjetjeve të këtij raporti, në ushtrimin e aktivitetit institucional dhe veprimeve procedurale, do të ishte tregues i vullnetit për të zbatuar standarde të larta të drejtësisë dhe lirisë së shprehjes në vend”
“Avokati i Popullit shpreh besimin se institucionet do të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ruajtur dhe siguruar lirinë e shtypit në shoqërinë tonë.
Le të bashkëpunojmë për të mbrojtur dhe për të avancuar këto vlera thelbësore për të gjithë qytetarët dhe për të garantuar që gazetarët të kenë mundësinë dhe sigurinë për të ushtruar detyrën e tyre me integritet dhe liri”, përfundon deklarata e Avokatit të Popullit.