“Liria globale” – FH: Shqipëria, përparim me vetingun, transparenca ende shqetësim
Shqipëria ka shënuar përparim për sa i përket respektimit të lirive në vend, duke u vlerësuar me 68 nga 100 pikë maksimale në raportin e fundit vjetor të Freedom House, “Liria Globale”.
Raporti vlerëson se Kosova dhe Shqipëria mbeten vende pjesërisht të lira pavarësisht përparimit (+1 pikë për Shqipërinë) në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve.
Po ashtu, Shqipëria konsiderohet si vend në tranzicion me sistem hibrid të qeverisjes.
“Shqipëria ka një rekord zgjedhjesh konkurruese, megjithëse partitë politike janë shumë të polarizuara dhe shpesh të organizuara rreth personaliteteve kryesore. Liria fetare dhe liria e tubimit në përgjithësi respektohen. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze, pavarësisht përpjekjeve të fundit të qeverisë për t’i trajtuar ato, dhe ndërthurja e interesave të fuqishme të biznesit, politikës dhe medias pengon zhvillimin e organeve realisht të pavarura të lajmeve”, thuhet në raport.
Ekspertja e organizatës “Freedom House” për Ballkanin, Aleksandra Karpi (Alexandra Karppi) deklaroi për Zërin e Amerikës se në Shqipëri gjykatat tani janë në pozitë më të mirë që t’u shërbejnë qytetarëve dhe janë më efikase.
Karpi theksoi si përmirësim procesin e vetingut, i cili, sipas saj, “ka filluar të shënojë përparim duke e detyruar Shqipërinë që ta mënjanojë korrupsionin në fushën e drejtësisë”.
“Kjo do të thotë se në Shqipëri po përmirësohet dukshëm qasja e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë dhe ky përparim duhet të vlerësohet”, tha ajo.
Ekspertja Karppi thotë se mungesa e transparencës dhe qeverisja jofunksionale vazhdojnë të përbëjnë shqetësim në Shqipëri. Ajo përmendi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, gjatë të cilave, sipas saj, “nuk është krijuar një mjedis për zgjedhje më të lira dhe më të drejta.”
“Përgjithësisht Shqipëria ka përparuar këtë vit duke u dhënë mundësi qytetarëve që serish të marrin pjesë në proceset demokratike duke iu përmbajtur angazhimeve për reforma të marra para Bashkimit Evropian”.
Ndërkaq, organizata Freedom House vlerëson se liria globale ka rënë për të 18-in vit radhazi në 2023.
“Shtrirja dhe shkalla e përkeqësimit ishin të gjera, duke prekur një të pestën e popullsisë së botës. Pothuajse kudo, rënia e të drejtave u nxit nga sulmet ndaj pluralizmit – bashkëjetesa paqësore e njerëzve me ide të ndryshme politike, fe ose identitete etnike – që dëmtuan zgjedhjet dhe mbollën dhunë. Këto sulme në rritje ndaj një tipari thelbësor të demokracisë përforcojnë nevojën urgjente për të mbështetur grupet dhe individët, përfshirë mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe gazetarët, të cilët janë në vijën e parë të luftës për liri në mbarë botën”, nënvizohet në raport.
Një total prej 52 vendesh pësuan rënie gjatë vitit të kaluar, ndërsa vetëm 21 u përmirësuan. Manipulimi i zgjedhjeve ishte ndër shkaqet kryesore të erozionit global në liri.