Lirimi i kolektorit të Perashit – Bashkia ndërhyn në sistemimin dhe evidentimin e të gjithë bllokimeve të bëra në vite
Ashtu siç ishte paralajmëruar dy javë më parë, ka nisur këtë të hënë aksioni i Bashkisë Shkodër për lirimin e kolektorit kryesor në zonën e Perashit.
Ndërhyrja ka nisur në dy pika, në fund të rrugës së Qafë Hardhisë dhe pranë nënstacionit të Draçinit, ku fadromat e Bashkisë Shkodër ka nisur me prishjet e mureve rrethuese, por edhe objekteva, të cilat janë të ndërtuara mbi kolektorë në këtë zonë.
Sipas të dhënave pranë Bashkisë Shkodër, mësohet se janë disa objekte të cilat do të shemben. Ndërkohë që aksioni i task forcës ngritur për këtë qëllim nga kryebashkiaku Benet Beci, ka marrë edhe mbështetjen e vetë banorëve, të cilët kanë bashkëpunuar me institucionet për lirimin e këtyre hapësirave.
Sipas specialistëve të Ujësjellës Kanalizime në Shkodër, për lirimin e plotë të këtij kolektori që vijon deri në hyrje të Shkodrës, ndërhyrja pritet të zgjasë rreth 10 ditë në sistemimin e plotë dhe evidentimin e të gjithë bllokimeve, të cilat janë bërë në vite në këtë zonë të qytetit që u shoqërua me përmbytje të rrugëve gjatë reshjeve që shoqëruan Shkodrën në fillim të muajit Tetor.