Lirimi i Milan Radoiçiqit/ Shefi i kabinetit të Kurtit: Shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar
Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi ka reaguar pas lirimit të Milan Radoiçiqit nga gjykata serbe i cili drejtoi grupin e sulmit të armatosur serb në Banjskë të Kosovës.
Dalipi ka theksuar se Serbia ka mbështetur terrorizmin e kryer në Kosovë dhe se arrestimi e më pas lirimi i Radoiçiqit është bërë vetëm për shfaqje mediatike.
“Aleksandër Vuçiq dhe qeveria e Serbisë mbështeti terrorizmin në Kosovën fqinje. Arrestimi dhe lirimi i një terroristi kryesor është vetëm për të marrë vëmendjen e mediave. Manipulimi i tij i stilit Millosheviq/Putin nuk do të mashtrojë askënd. Mbajtja e përgjegjësisë është thelbësore për këtë shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar”, ka shkruar ai në platformën “X”.
Milan Radoiçiq u lirua sot nga paraburgimi, ndërsa i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar largimi jashtë Serbisë si dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë.
Gjykata e Lartë në Beograd përmes një deklarate për mediat ka bërë të ditur se pasi ka dëgjuar të pandehurin Radoiçiq (i cili akuzohet për drejtimin e grupit terrorist serb në sulmin e Banjskës së 24 shtatorit) për arsyet e caktimit të paraburgimit, ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për ta lënë në paraburgim.
“Në të njëjtën kohë, të pandehurit Milan Radioçiq i është caktuar masa e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi, i është ndaluar të largimi nga territori i Republikës së Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës dhe është urdhëruar që çdo datë 1 dhe 15 të muajit të paraqitet në organin kompetent në stacionin policor. Të pandehurit i është konfiskuar përkohësisht dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë si dhe është paralajmëruar se ndaj tij mund të caktohet masa e paraburgimit nëse shkel ndalesat dhe detyrimet e vendosura”, thuhet më tej në deklaratën e Gjykatës së Lartë në Beograd.
Ndërkaq, më 30 shtator, Radoiçiq iu përgjigj ftesës së autoriteteve shtetërore të Serbisë dhe në cilësinë e tij si qytetar dha deklaratë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për sulmin terrorist serb në Banjskë, të 24 shtatorit, në veri të Republikës së Kosovës.
Më 26 shtator, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi një video, ku deklaroi se një burrë i veshur me uniformë dhe armë në duar, i cili ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, është Radoiçiqi.
Paraditen e mëngjesit të së dielës së 24 shtatorit persona të maskuar dhe të armatosur hapën zjarr dhe hodhën granata dore në hyrje të fshatit Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Policia e Kosovës bëri me dije se eliminoi 3 agresorë dhe arrestoi 6 të tjerë për posedim të armëve, të municionit dhe të radiolidhjeve. Ndërsa u sekuestrua armatim i rëndë që ishte sjellë nga grupi i armatosur terrorist serb.