Lista e të kërkuarve, së shpejti në Tiranë Konferenca Evropiane e Interpolit
Në Tiranë pritet që të mblidhet Konferenca Evropiane e Interpolit. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili kërkoi më shumë punë për të identifikuar personat në kërkim ndonëse Policia e Shtetit ka një listë, të cilën tri vite më parë e publikoi.
“Kemi tashmë një listë prioritetesh ose siç i themi ‘më të kërkuarit’, për të cilët mezi pres që ajo listë të çmontohet një e nga një duke bashkëvepruar këtu jo vetëm brenda për brenda hapësirës sonë me të gjitha organet e tjera ligjzbatuese, por do të rrisim bashkëpunimin me Europolin dhe me Interpolin. Shumë shpejt do të jemi në selinë qendrore të Interpolit, pikërisht për të hapur një kapitull të ri dhe për të identifikuar të gjithë të kërkuarit shqiptarë nëpër botë”, tha Balla.
Në janar të vitit 2020 Policia e Shtetit nisi publikimin e fotove dhe emrave të 50 personave më të rrezikshëm në vendin tonë.
Çdo ditë, publikut iu bënë të njohur këta persona, ku dikasteri blu kërkonte edhe bashkëpunimin e qytetarëve për çdo informacion që mund të kenë.