Listat e PS, Rama: Skuadra jonë e ndërtuar që nga shtatori i kaluar. Hapje brutale e partisë

Partia Socialiste prezantoi dje (12 mars) listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 majit, ku binte në sy një numër i lartë emrash të rinj. Në rubrikën e tij në Facebook “Sy m’Sy”, Rama tha se është bërë një “hapje brutale” e partisë. Ai deklaroi se shfrytëzoi listat e mbyllura për këtë, në mënyrë që t’i jepej hapësirë të rinjve.
“Listat e hapura dhe partia e mbyllur, listat e mbyllura dhe partia e hapur, këto kanë qenë dy pikat strategjike. Listat e hapura dhe partia e mbyllur do të thotë që në kushtet kur të gjitha përpjekjet për të hapur partinë bëjnë një efekt relativ dhe konsumi i kohës që partia të hapet është i jashtëzakonshëm dhe rezultati është shpeshherë mediokër. Listat e mbyllura dhe partia e hapur, do të thotë që ne i kemi shfrytëzuar listat e mbyllura për të hapur partinë, për ta bërë hapjen brutale. Nëse kapacitet e brendshme në territor janë të tilla që e pengojën hapjen, atëherë ne duhet ta imponojmë në një moment kyç, duke i dhënë mundësi të rinjve që përndryshe nuk do hynin dot”, tha Rama.
Kryesocialisti shtoi se skuadra e PS në këtë garë elektorale është ndërtuar duke filluar që nga shtatori i vitit të kaluar, dhe se emrat kandidatëve për deputetë erdhën pas një pune në terren të drejtuesve politikë e po ashtu edhe nga platforma “Deputeti që duam”.
“Skuadra jonë kombëtare është diçka krejt tjetër, e ndërtuar me shumë kujdes duke nisur qysh nga viti i shkuar në shtator. Kur kemi vendosur drejtuesit politikë, kështu e kemi sistemin, drejtuesit politikë të qarqeve fillojnë dhe bëjnë të gjithë punën studimore të territorit, potencialeve dhe bashkëpunojnë me komunitetet me partinë, me aktorë dhe faktorë të shoqërisë për të kuptuar se cilët dhe cilat janë kandidatët më të përshtatshëm dhe fillojnë e ndërtojnë komunikime sepse jo të gjithë ata që janë kontaktuar kanë pranuar të futen në politikë. Kështu që drejtuesit politikë kanë ndërtuar një proces, ndërkohë që nga ana tjetër ne kemi lançuar platformën “Deputeti që duam”. Patëm rreth 500 e kusur aplikime. Pastaj të gjithë këtyre që aplikuan, iu drejtuam me një proces të dytë seleksionimi dhe nga kjo dolën rreth afro 250 individë, të cilëve u dhamë mundësinë që të hyjmë në terren dhe të punojnë në terren. Nga ana tjetër, iu kërkuam që të aktivizohen në rrjetet sociale për të parë se sa të dobishëm do të ishin për skuadrën. Se një gjë është të jesh i zoti dhe me të gjitha të mirat në jetën tënde private dhe gjë tjetër është të futesh në një skuadër dhe në një betejë publike”, theksoi Rama.