Liverpuli s’dorëzohet, Siti del me një pikë nga “Etihad”
Ndeshja kryesore e javës në Premier Ligë është mbyllur në barazim 1-1. Siti dhe Liverpul kanë anuluar njëra-tjetrën në “Etihad Stadium” duke shënuar nga një gol për pjesë dhe duke ndarë kështu pikët në një kampionat, I cili bëhet edhe më interesant me Arsenalin që pret ende të luaj ndeshjen e vet.
Kampionët në fuqi mbyllën pjesën e parë në avantazh falë golit të Erling Haland. Natan Ake fitoi topin në gjysëmfushën e Liverpulit pasi Alison kreu keq një rivënie fundore. Mbrojtësi holandez dribloi dy rivalë dhe pasoi për norvegjezin, i cili edhe pse nuk goditi siç duhet arriti të kalonte portierin brazilian.
23-vjeçari norvegjez realizoi golin e 50-të në Premier League. Kuotë e arritur në 48 ndeshje, si askush tjetër në historinë e kampionatit anglez. Haland nuk i kishte shënuar kurrë më parë Liverpulit. Tashmë ka mbetur vetëm Brentford pa u ndëshkuar.
Në pjesën e dytë “Reds”-at, nën vështrimin e babait të Lusi Diazit, gjetën forca dhe evituan humbjen falë një goli të bukur të Trent Aleksander-Arnold dhjetë minuta përpara fundit.
Me këtërrezultat skuadra e Pep Guardiolës i dha fund ecurisë prej 24 fitoresh radhazi në “Etihad”. City mbetet përkohësisht në vendin e parë me 29 pikë, ndërkohë që djemtë e Jurgen Klop ndjekin me një pikë më pak.