“Logu i Bjeshkëve”, detajet e organizimit tradicional/ Fokusi i këtij edicioni: …
“Logu i Bjeshkëve”, detajet e organizimit tradicional/
Fokusi i këtij edicioni: Xhubleta dhe bashkimi kulturor i të gjitha trevave
Edhe këtë vit ashtu siç është bërë traditë në Qafë të Predelecit do të organizohet “Logu i Bjeshkëve”, evenimenti që nxjerr në pah disa nga vlerat më të mira të folkut dhe trashëgimisë kulturore prej më shumë se 25 vitesh. Për herë të parë, këtë vit pjesë e organizimit do të jetë përveç Bashkisë Malësi e Madhe edhe Ministria e Kulturës. Një nga rapsodët e njohur, Pretash Nilaj, i cili kësaj here do të jetë edhe në rolin e organizatorit thotë se ky do të jetë një edicion i mbushur me risi në aspektin artistik ndërsa nuk do të mungojnë as lahuta dhe vallet tradicionale.Zgjerimin e hartës gjeografike të pjesëmarrësve në Logun e Bjeshkëve, organizatori Nilaj e lidh me qëllimin e aktivitetit që është bashkimin kulturor i trevave shqiptare.
Ky vit është i veçantë për Logun e Bjeshkëve pasi ai do të zhvillohet për herë të parë pas përfshirjes së xhubletës si pjesë e UNESCOS ndaj rëndësia që do t’i jepet këtij kostumi do të vazhdojë të jetë e madhe.
Për shkak të kushteve atmosferike Bashkia e Malësisë së Madhe ka njoftuar të gjithë dashamirësit për shtyrjen e aktivitetit në datën 13 gusht.