Loja që iu vjedh të dhënat e llogarive bankare, Policia: Bëni kujdes me aplikacionin online “Plinko”
Policia u ka bërë apel qytetarëve që të bëjnë kujdes në përdorimin e aplikacioneve që reklamojnë se njerëzit mund të fitojnë para por që në fakt përmes tyre mund të vidhen të dhënat personale dhe ato bankare.
Sipas policisë, kohët e fundit, në rrjetet sociale po reklamohen lojëra nëpërmjet të cilave fitohen para dhe autorët e tyre për ta bërë të “besueshme po përdorin videot e njerëzve të famshëm që luajnë këtë lojë, gjë që në fakt është mashtrim”.
Në këtë mënyrë, ofruesit e lojërave kërkojnë numrat e llogarive bankare dhe kjo është një skemë për marrjen e të dhënave të llogarive bankare, nga të cilat mund t’iu merren shuma monetare qytetarëve apo përdoruesve të këtyre lojërave.
“Nisur nga rastet e shtuara të përdorimit të këtij aplikacioni, kryesisht nga nxënësit, me qëllimin për të fituar para, Policia e Shtetit apelon për prindërit që të tregohen të kujdesshëm, për të mos lejuar fëmijët që të përdorin këtë aplikacion dhe në rastet kur ata e përdorin, të tregojnë kujdes, pasi duke dhënë të dhëna personale dhe të llogarive bankare, mund t’iu tërhiqen para nga llogaria juaj”, thuhet në njoftimin e policisë.