Lojërat Olimpike “Paris 2024”, delegacioni shqiptar niset drejt Francës
Skuadra olimpike Shqiptare është nisur drejt Paris aty ku do të mbahen Lojërat Verore Olimpike. 8 sportistë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këto lojëra u nisën nga Rinasi, të shoqëruar nga kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, i cili ndau për mikrofonin e RTSH-së emocionet e nisjes.
“Nuk ka emocion më të bukur se të përfaqësosh vendin tënd dhe shpresoj që Shqipëria me këtë delegacion që jemi sot këtu, na mungon Luiza Gega pasi do të vij pas 3 ditësh, kemi ëndrrën e parë që Shqipërisë ti sjellim të parën medalje olimpike me të gjithë këta kampion që ne të kemi mundësi të përfaqësojmë dhe me dinjitet, me uniforma por mbi të gjitha me rezultat”, u shpreh për RTSH-në kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli.
Po kaq optimist janë edhe sportistët të cilët presin medaljen nga këto lojëra.
“Jam shumë e emocionuar që do të mbaj flamurin, është një nder shumë i madh dhe falënderoj shumë Komitetin Olimpik që më dha këtë mundësi”, u shpreh notarja Kaltra Meça.
“Djemtë tanë janë përgatitur, fatmirësisht shkojmë me 3 djem jo vetëm për medalje por djemtë synojnë më të mirën që është dhe medalja e arit. Për sa kohë kemi shpresë dhe ëndërrojmë ne mbetemi pozitiv që këtë herë Shqipëria do ja dalim”, u shpreh Presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni, në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Skuadra Shoqërohet nga Kryeministri Edi Rama, i cili do të ndjek nga afër ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024” që do të mbahen nga 26 korriku deri më 11 gusht, ndërsa Lojërat Para olimpike “Paris 2024” do të zhvillohen nga 28 gushti deri më 8 shtator.