Lojërat Olimpike “Paris 2024”, hetohet Tony Estanguet
Presidenti i komitetit organizativ të Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike “Paris 2024”, Toni Estanget, është subjekt i një hetimi për kushtet e shpërblimit të tij. Ai ka marrë një shpërblim bruto prej 270 mijë euro deri në vitin 2020, shumë kjo përtej kufijve të përcaktuara nga ligji i 1908-ës për shoqatat.
Gjashtë muaj para nisjes së Lojërave Olimpike të Parisit, e treta në Francë dhe e para që nga viti 1924, Tony Estanguet e gjen veten në qendër të një polemike të re në lidhje me kompensimin e tij. Hetimi iu besua policisë gjyqësore “javën e kaluar”, saktësojnë burimet e afërta pranë çështjes. Ndërsa lajmi është publikuar të martën e 6 shkurtit nga France Presse. Tony Estanguet, presidenti i Cojop, Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike Paris 2024, ka marrë një shpërblim vjetor prej 270,000 euro bruto nga viti 2018-2020.
Por duke qenë se Cojop është një shoqatë e themeluar sipas ligjit të vitit 1908, shpërblimi i drejtorëve të saj është i kufizuar me ligj në nivele dukshëm më të ulëta. Kështu, Estanget, i cili ka kërkuar që këto lojëra të ishin “shembullore”, duhet të përballet me këtë hetim të ri, të katërtin që po kryen Prokuroria Financiare Kombëtare.
Janë tre hetime të tjera paralelisht, që po zhvillohen kundër organizatorëve të Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike të Parisit. Në qendër të hetimeve janë dyshimet për favorizim dhe shpërdorim të fondeve publike gjatë dhënies së kontratave. Bëhet fjalë për rreth njëzet kontrata me disa dhjetëra milionë euro.