LSDM konfirmon kandidaturën e Pendarovskit për një tjetër mandat presidencial
Socialdemokratët e Maqedonisë së Veriut konfirmuan të dielën që presidenti Stevo Pendarovski të garojë për një mandat të dytë si kryetar shteti.
Pendarovski mori 706 vota pro në mbledhjen e kongresit të LSDM-së. Kreu i partisë, Dimitar Kovaçevski, tha se “Pendarovski ka një vizion të qartë për prosperitetin e shtetit dhe integrimin e tij në Bashkimin Evropian”.
“Ai ka treguar se çfarë do të thotë të jesh president i të gjithëve. Në mandatin e tij, vendi është bërë anëtar i NATO-s dhe në mandatin e tij të dytë do të bëhet anëtar i BE-së,” tha z. Kovaçevski, duke theksuar se janë mbledhur 20 mijë firma për kandidaturën e Pendarovskit.
Vetë presidenti Pendarovski u shpreh se ai pret një fitore të dyfishtë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare pas pak javësh.
“Ne kemi vlerat dhe potencialet tona dhe jemi më të mirë se ata,” tha z. Pendarovski.
Stevo Pendarovski do të garojë për herë të tretë si kandidat i LDSM-së për president. Ai më parë kandidoi për postin në vitin 2014 dhe më pas në 2019 kur fitoi zgjedhjet presidenciale ndaj kandidates së VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova.
Davkova do të jetë kundërshtarja e z. Pendarovskit edhe në këto zgjedhje. /SE