Luçiano Boçi për opozitën, nënkryetari i Rithemelimit: Aksioni politik do të vijojë
Nga selia e demokratëve që njihen si grupi i “Rithemelimit”, Luçiano Boçi paralajmëroi se kjo pjesë e pozitës po riorganizohet dhe se pavarësisht arrestit në shtëpi të Berishës, opozita do të vijojë me aksionin e saj politik.
Nënkryetari i këtij grupimi tha se vendimet e SPAK dhe GJKKO për të arrestuar kreun e opozitës rikthyen metodat famëkeqe të përdorura në diktaturë.
“I gjithë procesi ndaj Sali Berishës është një proces politik me objektiva e synime të qarta politike, për të heshtur dhe goditur jo vetëm ‘in persona’ Sali Berishën, por për të heshtur dhe goditur në grup e në themel Partinë demokratike, shoqërinë shqiptare, për të shuar të vërtetat denoncuese të dala prej saj dhe për t’i shtruar rrugën këtij pushteti të korruptuar që ai të vendosë sundimin e tij.
Në sinkron me qëllimet politike të këtij procesi ishte dhe vendimi i Gjykatës së Lartë, i cili mban pezull e tërheq zvarrë pa asnjë arsyetim ligjor statusin juridik të Partisë Demokratike duke mos konsideruar vullnetin e Kuvendit kombëtar të 11 dhjetorit dhe statutin e Partisë Demokratike,” tha Boçi.