Lufta Izrael-Hamas, Blinkeni takon presidentin palestinez, Abas. Zotohet për ndihma
Kryediplomati amerikan Antoni Blinken (o. Antony Blinken) zhvilloi këtë të diel një vizitë të papritur në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku u takua me presidentin e autoritetit palestinez Mahmud Abas (o. Abbas).
Presidenti Abas i tha z. Blinken se në luftën mes Izraelit dhe Hamasit duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm për të mundësuar hyrjen e ndihmave në Gazë.
Gjatë takimit që zgjati rreth një orë, por pa prononcime për mediet, Blinkeni tha se SHBA është angazhuar për të çuar ndihmat në Gazë si dhe për të rivendosur shërbimet thelbësore atje.
Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Blinkeni gjithashtu shprehu zotimin e Uashingtonit për të punuar drejt realizimit të aspiratave të ligjshme palestineze për krijimin e një shteti palestinez, ndërsa vuri në dukje se do të kishte kuptim që një autoritet palestinez efektiv të drejtonte rripin e Gazës.
Presidenti Abas e drejton në mënyrë të kufizuar Bregun Perëndimor, ndërkohë që ka gjendet mes akuzave për korrupsion, paaftësi dhe bashkëpunim me Izraelin.
Ndërkohë që është e paqartë se kush do ta zëvendësojë Abasin, një kundërshtar i fortë i Hamas, tashmë është në moshë të thyer.
Ministrat e Jashtëm të Egjiptit dhe Jordanisë u shprehën të shtunën pasi u takuan me Blinkenin se për momentin nuk mund të flitet për të ardhmen e gazës, ndërsa bënë thirrje për armëpushim të menjëhershëm për adresimin e krizës humanitare që ka përfshirë enklavën.
Blinkeni argumentoi se armëpushimi do t’i shërbente Hamasit që të rigrupohej, por ndërkohë po përpiqet të bindë Izraelin për ndërprerje të konfliktit në pika specifike që do të mundësojnë shpërndarjen e ndihmave në Gazë.