Lufta kundër krimit dhe terrorizmit, Balla takon Ambasadorin e Mbretërisë së Marokut
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka pritur në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Marokut Youssef Balla, me të cilin diskutoi çështjet që kanë të bëjnë me forcimin e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve dhe luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, migracionit të paligjshëm apo terrorizmit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ministri Balla thekson se ky takim vjen pas një akti konkret bashkëpunimi të autoriteteve të Marokut, të cilët lehtësuan ekstradimin e një personi shumë të kërkuar nga drejtësia shqiptare, pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje të nënshkruar mes dy vendeve.
“Mirëprita Ambasadorin e Mbretërisë së Marokut Youssef Balla, me të cilin diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të dy vendeve tona në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, migracionit të paligjshëm apo terrorizmit. Pak ditë më parë realizuam ekstradimin e një personi të shumëkërkuar nga Maroku, edhe pse me Mbretërinë e Marokut nuk e kishim një marrëveshje ekstradimi, duke na ka krijuar tashmë eksperiencën por edhe besimin të vijojmë përpjekjet tona për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera”, shkruan Balla.