Lufta kundër krimit të organizuar, Balla: Prioritet, SPAK hetime komplekse për çmontimin e grupeve kriminale
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka deklaruar se do të intensifikohet lufta kundër krimit të organizuar.
Në fjalën e tij në eventin “Siguri-Vlerësim-Mbështetje”, Balla tha se SPAK ka ndërmarrë një sërë hetimesh komplekse, për çmontimin e grupeve të përfshira në ngjarje të rënda kriminale.
Janë një sërë ngjarjesh kriminale që ende nuk janë zbardhur, për të cilat Balla tha se autorët duhet të përballen me drejtësinë.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale do të intensifikohen çdo ditë. Hetime komplekse nën drejtimin e SPAK apo prokurorive në rrethe do të çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje, apo trafiqe e pastrime parash. Policia e Shtetit po fiton një besim më të madh jo vetëm nga publiku por dhe nga agjencitë e vendeve partnere. Vetëm me Policinë italiane kemi 14 grupe të përbashkëta hetimore, që kanë dhënë rezultate të rëndësishme në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Kemi ende shumë persona në kërkim, ngjarje të rënda pa autor, e vrasje të vjetra që nuk mund të harrohen nëse autorët nuk përballen me drejtësinë”, u shpreh Balla.