Lufta kundër paligjshmërisë, Policia e Shtetit bashkëpunim me Policinë Italiane dhe Guardia di Finanza
Policia e Shtetit, Policia Italiane dhe Roja Financiare (Guardia di Finanza) konfirmuan angazhimin e përbashkët në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme që prekin Shqipërinë dhe Italinë. Në takimin koordinues, zhvilluar në Tiranë, u ra dakord që ky angazhim të intensifikohet, nëpërmjet programeve të shumta të mbështetjes dhe ndihmës ndaj Policisë së Shtetit.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, priti në një takim delegacionin e kryesuar nga drejtori i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë Italiane, Gjeneral Brigade, Giampiero Ianni, shefi i Repartit III të Operacioneve të Komandës së Përgjithshme të GdF, Gjeneral Brigade, Luigi Vinciguerra dhe shefi i Centralit Operativ të Komandës së Përgjithshme të GdF, Gjeneral Brigade, Vincenzo Caci.
Në fjalën e tij, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe intensiv me Policinë Italiane dhe falënderoi “Guardia di Finanza” për angazhimin profesional në ndihmë të Policisë së Shtetit.
“Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të goditur çdo formë kriminaliteti që prek të dy vendet tona dhe bashkëpunimi me Policinë Italiane, siç është dëshmuar prej vitesh, na e shton forcën goditëse dhe efikasitetin”, u shpreh zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga.