Lufta kundër pastrimit të parave, Balluku: Duhet të hartojmë një strategji kombëtare kundër krimit ekonomik!

Balluku 2
Shqipëria ka patur një sukses duke dalë nga lista gri e pastrimit të parave. Deklarata vjen nga Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë mbledhjes vjetore të Komitetit Bashkërendues të luftës kundër pastrimit të parave.
“Viti 2023 ka qenë pa dyshim një vit i suksesshëm për vendin tonë jo vetëm për sa i takon vlerësimit shumë pozitiv për daljen e Shqipërisë nga lista gri e FATF-së, por edhe për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së” tha zonja Balluku. Në vlerësimin e saj ky moment pozitiv ka ardhur si rezultat e një pune shumë të madhe të të gjithëve ku një rol mjaft të rëndësishëm ka pasur edhe konsolidimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi, edhe institucionet e reja të krijuara si SPAK duke dhënë impaktin e daljes së Shqipërisë nga lista gri.
Ministrja tha se “Inteligjenca artificiale dhe ndërveprimi mes institucioneve në luftën kundër krimit ekonomik është një synim dhe objektiv madhor i qeverisë shqiptare”. “Synojmë të biem dakord për nevojën e një strategjie kombëtare në fushën e parandalimit dhe goditjes së pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke hartuar dhe miratuar këtë strategji brenda 6-mujorit të parë të vitit 2024,” tha ministrja Balluku. Kjo strategji do të jetë një udhërrëfyes për një sërë procesesh vlerësuese, si dhe do të rrisë efikasitetin e këtij Komiteti.