Lufta kundër pastrimit të parave, Ministri Mete: Shqipëria del nga lista gri e MONEYVAL

9042f32756b848bc9153f4148b8b3f61
Ministri i Financave, Ervin Mete ka bërë me dije se Shqipëria ka dalë nga lista gri e Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL).
MONEYVAL është një organ monitorues i përhershëm i Këshillit të Evropës, i cili vlerëson përputhshmërinë me standardet kryesore ndërkombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmin dhe efektivitetin e zbatimit të tyre.
Në konferencën vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Mete tha se vendimi u mor mëngjesin e kësaj të premte (27 tetor) nga Asambleja e Përgjithshme e MONEYVAL. Ministri u shpreh se kjo do të sjellë përfitime afatgjata për Shqipërinë dhe përmirëson imazhin e saj ndërkombëtar.
“Është marrë vendimi nga FATF, Task Forca për Veprimin Financiar, për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri, ashtu i njohur ndryshe si monitorim i shtuar. Vendimi është marrë sot nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë“, u shpreh Mete.
Ministri shtoi po ashtu se ekonomia e vendit ka treguar qëndrueshmëri, ku gjatë gjysmës së parë të viti 2023, rritja ekonomike ishte 3%. Sipas Mete, sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qenë turizmi dhe ndërtimi.
“Gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, rritja ekonomike ishte 3%, me përshpejtim nga tremujori i parë në të dytin, ku konsumi dhe investimet patën rritje përkatësisht me 4.2% dhe 9.2% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2022. Sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qenë turizmi dhe ndërtimi, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme. Në gjysmën e parë të vitit 2023, punësimi vijoi të forcohet, duke u rritur me 2.7% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që, shkalla e papunësisë vijoi tendencën rënëse të viteve të fundit, duke zbritur në 10.7%, një nga shifrat më të ulëta historike. Nisur nga kjo ecuri e mirë, ne kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar”, theksoi ministri.
Sa i përket perspektivës ekonomike, Mete tha se skenari bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikohet një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim.
Sot, në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave, Mete tha se do të miratohet edhe projektbuxheti 2024, i cili, sipas tij, do të mbështesë reformën e pagave, në arsim, shëndetësi, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe në sektorë të tjerë.
“Projektbuxheti i vitit të ardhshëm mban në nivelin mbi 5% të PBB-së financimin e investimeve publike, jep mbështetje për zhvillimin e turizmit, si edhe vijon mbështetjen për fermerët dhe shtresat në nevojë. Mbetemi të angazhuar për të vijuar me konsolidimin fiskal, me synim uljen e mëtejshme të borxhit publik, duke respektuar një balancë primare pozitive, të përcaktuar edhe në ligj”, deklaroi ai.