Lufta me Hamasin/ Udhëheqësit perëndimorë: Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten
Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se presidenti amerikan Xho Bajden (Joe Biden) së bashku me udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë kanë përsëritur thirrjen për mbështetje ndaj Izraelit dhe për lirimin e të gjithë pengjeve.
“Ata mirëpritën lirimin e dy pengjeve dhe bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbetura. Udhëheqësit mirëpritën njoftimin e autokolonave të para humanitare për të arritur tek palestinezët në nevojë në Gaza dhe u angazhuan për të vazhduar koordinimin me partnerët në rajon për të siguruar akses të qëndrueshëm dhe të sigurt në ushqim, ujë, kujdes mjekësor dhe ndihmë të tjera të nevojshme për të përmbushur nevojat humanitare”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
SHBA ka bërë me dije gjithashtu se Izraeli ka rënë dakord që një “fluks i vazhdueshëm” ndihme do të lejohet në Rripin e Gazës, pasi një kolonë e dytë arriti në territor nga Egjipti.
Gjatë fundjavës, ushtria izraelite u zotua të intensifikojë sulmet ajrore në Gaza dhe paralajmëroi palestinezët ende në veri të territorit që të largohen nga jugu. Dhe gjatë natës, shpërthime të forta janë regjistruar pranë disa spitaleve në Gaza, megjithëse ushtria izraelite nuk ka konfirmuar ndonjë sulm në këto zona.
Hamasi filloi sulmin e tij ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1400 njerëz. Zyrtarët në Gaza thonë se më shumë se 4,600 janë vrarë në territor që prej 7 tetorit.