Lufta në Gaza, Guterres: Do ishte e pafalshme nëse dështohet të vendoset armëpushimi
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se rezoluta duhet të zbatohet për të siguruar një armëpushim dhe lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve.
“Dështimi do të ishte i pafalshëm”, ka shkruar ai në rrjetin social X, platforma e njohur më parë si Tëitter.
Guterres ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që Izraeli të japë akses të plotë në mallrat humanitare në të gjithë Gazën, ku OKB thotë se rreth 1.1 milion njerëz po luftojnë me urinë.
“Është koha për të ulur armët”, tha ai në vendkalimin Rafah midis Egjiptit dhe Gazës javën e kaluar.
Ndërkaq, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, ka treguar pse SHBA abstenoi në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën.
Së pari, ajo i referohet një rezolute të mëparshme të SHBA-së që u bllokua nga Rusia dhe Kina pasi ato ende nuk mund të dënojnë sulmet terroriste të Hamasit më 7 tetor.
“Ata kanë treguar herë pas here se në fakt nuk janë të interesuar të avancojnë një paqe të qëndrueshme përmes përpjekjeve diplomatike” thotë ajo.
Në rezolutën e sotme, Thomas-Greenfield beson se “redaktimet kryesore” janë injoruar, veçanërisht dënimi i Hamasit.
“Ne nuk ramë dakord me gjithçka në rezolutë. Për këtë arsye, për fat të keq nuk ishim në gjendje të votojmë pro”, është shprehur Thomas-Greenfield, ndërsa shtoi se “megjithatë, siç thashë më parë, ne mbështesim plotësisht disa nga objektivat kritike në këtë rezolutë jodetyruese. Dhe ne besojmë se ishte e rëndësishme që këshilli të fliste dhe të bënte të qartë se çdo armëpushim duhet të vijë me lirimin e të gjithë pengjeve”.