Lufta në Gaza- Macron bën thirrje për të ndaluar dërgesat e armëve për Izraelin
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë thirrje për ndalimin e dërgesave të armëve në Izrael për përdorim në Gaza, duke shkaktuar kritika të shpejta nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Macron tha se “prioriteti është që ne të kthehemi te një zgjidhje politike, që të ndalojmë dërgimin e armëve për të luftuar në Gaza”.
Në një samit në Paris të shtunën, presidenti francez përsëriti shqetësimin e tij për vazhdimin e konfliktit në Gaza, pavarësisht thirrjeve për armëpushim, dhe ai gjithashtu kritikoi vendimin e Izraelit për të dërguar trupa tokësore në Liban.
Netanyahu u përgjigj: “Turp për ta”, duke iu referuar Macron dhe liderëve të tjerë perëndimorë që kanë bërë thirrje për atë që ai e përshkroi si një embargo armësh ndaj Izraelit. Në një video të publikuar nga zyra e tij, Netanyahu tha se “Izraeli do të fitojë me ose pa mbështetjen e tyre”, duke shtuar se thirrja për një embargo armësh ishte “një turp”.
Macron, në një intervistë me transmetuesin francez, e cila u regjistrua të martën dhe u transmetua të shtunën, tha se “Franca nuk po i dorëzon asnjë” armë Izraelit.
“Mendoj se është një gabim, duke përfshirë sigurinë e Izraelit,” tha ai, duke shtuar se konflikti po çonte në “urrejtje”.
Macron tha gjithashtu se shmangia e një përshkallëzimi në Liban ishte një “prioritet” dhe se “Libani nuk mund të bëhet një Gazë e re”.
Zyra e Netanyahut u përgjigj duke thënë se çdo vend që nuk qëndron me Izraelin po mbështet Iranin dhe aleatët dhe përfaqësuesit e tij.
“Ndërsa Izraeli lufton forcat e barbarisë të udhëhequra nga Irani, të gjitha vendet e civilizuara duhet të qëndrojnë fort në krah të Izraelit. Megjithatë, presidenti Macron dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë po bëjnë thirrje tani për embargo armësh kundër Izraelit. Turp për ta”, tha Netanyahu.
Zyra e Macron tha më vonë se Franca është një “mik i palëkundur i Izraelit”, duke shtuar se reagimi i Netanyahu ishte “i tepruar dhe i shkëputur nga miqësia midis Francës dhe Izraelit”.
Megjithatë, Macron ripohoi të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe tha se do të takohej të hënën me të afërmit e franko-izraelitëve të mbajtur peng në Gaza.
E hëna do të shënojë përvjetorin e parë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz dhe 251 të tjerë u morën peng. Më shumë se 41.000 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, thotë ministria e shëndetësisë e territorit të Hamasit./BBC